Këshilla dhe informacion për porositësit dhe profesionistët

Menaxhimi i tullave për fasadë dhe materialeve të tjera të ndërtimit është përgjegjësi e kompanisë ndërtuese. Rekomandimet e mëposhtme për menaxhimin e materialit ndërtimor janë thjeshtë një përshkrim i punë së zakonshme të një profesionisti. Megjithatë, në çdo rast, ato janë shumë të vlefshme edhe për pronarin e objektit që ndërtohet dhe nëse aplikohen drejt ato do të garantojnë një fasadë të shkëlqyer.

Para se të fillojë muratura

Gjatë ngritjes së muraturës

Pas përfundimit të muraturës

Para se të fillojë muratura

> Porosia

Afati i dorëzimit të tullave, nga fabrika drejt Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, në varësi të sasisë, është nga 1-2 javë. Megjithatë ne ju këshillojmë që porosinë ta bëni që në fazat e hershme të ndërtimit. Kështu ne do jemi në gjendje që ta administrojmë më mirë porosinë tuaj. Gjithmonë bëjeni porosinë të plotë, jo pjesë-pjesë. Në këtë mënyrë jo vetëm që ulni kostot, por dhe mund të siguroheni që të gjitha tullat i përkasin një cikli pjekjeje.

> Dorëzimi i i mallit

Sigurohuni që të gjitha tullat të ndodhen në vendin e ndërtimit para se të fillojë vendosja e tyre. Vetëm kështu mund të realizohet një përzierje sa më e mirë e ngjyrave. Nëse nuk keni hapsirë të mjaftueshme në vendin e ndërtimit, merrni masa paraprakisht që të gjitha paletat të jenë nga e njëjti cikël pjekjeje. Paletat duhet të vendosen në vend të pastër dhe të thatë.

>Inspektimi i mallit

Kontrolloni dhe vlerësoni tullat pasi të kenë mbërritur në objekt që të siguroheni se janë tullat që keni porositur. Çdo paletë me tulla identifikohet me një etiketë CE që përmban të gjitha të dhënat mbi dorëzimin e porosisë. Nëse malli i dorëzuar nuk përputhet me porosinë, atëherë duhet bërë menjëherë njoftimi, para se të fillojë muratimi.

> Magazinimi i tullave në territorin e objektit

Vendosini paletat mbi sipërfaqe të thatë, p.sh. mbi trarë druri. Gjithmonë mbrojini tullat nga shiu, rritja e lagështirës dhe ujërat e pellgjeve.

> Llogaritja e mesatares së gjatësisë dhe lartësisë së tullës

Për llogaritjen e mesatares së gjatësisë merrni 10 tulla nga paletat e ndryshme që janë dorëzuar, nga shtresa e sipërme, e mesme dhe e poshtem, dhe vendosini njëra pas tjetrës. Shumën pjesëtojeni me 10. Për llogaritjen e lartësisë mesatare veproni në të njëjtën mënyrë, vetëm se kësaj radhe tullat vendosini njëra-sipër-tjetrës. Nëse kombinohen dy a më shumë lloje tullash, atëherë mesatarja duhet nxjerrë për çdo lloj tulle më vete. Pastaj krahasoni rezultatet e secilit lloj në mënyrë që të arrihet mesatarja e përgjithshme.

> Shfrytëzimi i tullës

Si rregull, tulla ka të shfrytëzueshme dy anët e shkurtra dhe dy anët e gjata. Nëse në njërën anë të ngushtë dhe në njërën anë të gjatë nuk ka difekte, si p.sh. krisje, cepa të thyer, gunga etj, atëherë tulla i plotëson standardet dhe mund të vendoset në fasadë. Muratori vendos se cila anë do të jetë e dukshme.

Gjatë ngritjes së muraturës

> Përzierja e saktë e ngjyrave të tullave për fasadë

Ky është, ndoshta, rregulli më i rëndësishëm, i cili për fat të keq shpesh injorohet. Megjithatë  kjo është mënyra e vetme për të arritur një shpërndarje sa më të njëtrajtshme të ngjyrave, pa krijuar njolla në fasadë. Përziejini tullat njëkohësisht nga 4-5 paleta të ndryshme. Kjo bëhet duke i tërhequr tullat nga paletat në mënyrë diagonale, siç tregohet edhe në ilustrimin në letrën e instruksioneve që shoqëron çdo paletë. Filloni me 4-5 paletat e tjera kur tullat nga paletat e para janë duke mbaruar. Rezultati final do të jetë një fasadë me shpërndarje të njëtrajtshme të ngjyrave.

> Porosia e dytë

Nëse papritur del nevoja për të porositur tulla të tjera, atëherë duhet të na jepni të gjithë informacionin e porosisë së parë. Ne do të përpiqemi, me aq sa kemi mundësi, që tullat e porosisë së dytë të jenë nga i njëjti cikël pjekjeje si dhe tullat e porosisë së parë. Sigurohuni me çdo kusht që tullat e porosisë së parë mos të vendosen të gjitha në fasadë pa ardhur ende porosia e dytë. Tullat nga porosia e dytë duhet gjithashtu të përzihen me tullat e porosisë së parë.

> Përdorni llaç të cilësisë së lartë

Llaçi për tulla zakonisht përbëhet prej çimentos, rërës dhe ujit, i cili ndonjëherë pasurohet me aditivë të ndryshëm. Rekomandojmë përdorimin në minimum të aditivëve. Përbërja e llaçit duhet të jetë e përshtatshme për tulla me koeficient të lartë dhe të mesëm thithjeje. Nëse llaçi do të përgatitet në objekt, atëherë sigurohuni për raportin e duhur të të përzierjes së çimentos dhe ujit të pastër. Ju mund të përdorni gjithashtu llaç të prodhuar në fabrikë, i cili garanton përbërjen dhe përzierjen e duhur, me cilësi të pandryshueshme. Llaçi i mirë garanton ngjitjen e mirë. Për të vërtetuar nëse llaçi është i mirë apo jo, ju mund aplikoni testin 1 minutësh. Ngjitini dy tulla me llaç dhe lërini të rrinë për 1 minutë. Pastaj shkëputeni njërën tullë. Nëse llaçi është i cilësisë së mirë, në secilën faqe të tullave do të jetë ngjitur një sasi e barabartë llaçi.

> Mur me shtrat të hollë llaçi

Për të ndërtuar fasada me shtrat të hollë ekzistojnë tre mënyra: • Me llaç për shtrat të hollë, përafërsisht 4 mm. Për shkak të përbërjes që ka, ky lloj llaçi nuk mund të punohet me mistri. Ai mund të shtrohet vetëm me pistoletë ose me qese me hinkë. • Me llaç të hollë. Ky lloj llaçi ka një përbërje midis llaçit për shtrat të hollë dhe llaçit të zakonshëm me çimento dhe mund të shtrohet me mistri mirëpo trashësia e fugës është pak më e madhe, nga 6 deri në 8 mm. • Tullat ZERO. Formati ZERO nga Vandersanden mundëson një trashësi fuge prej 4 mm me llaç të zakonshëm. Kjo ndodh pasi llaçi fshihet pjesërisht brenda volumit të tullës. Tulla ZERO nuk ka nevojë pë llaç special. Fasadat me shtrat të hollë llaçi nuk kanë nevojë për mbushje të re sepse llaçi nuk konsumohet. Llaçi për shtrat të hollë dhe llaçi i tullave ZERO nuk duken pothuajse fare, megjithatë ju këshillojmë që ngjyra e llaçit të jetë gjithmonë e përafërt me ngjyrën e tullës. Nëse dy ngjyrat dallojnë shumë nga njëra-tjetra, rezultati mund të mos jetë shumë i këndshëm.

> Ruajtja e tullave

Në fund të ditës së punës tullat duhet të mbulohen me plastmas që të mos lagen nga shiu. Lagështira e tepërt në tulla të pavendosura kullon pastaj kur tulla ndodhet në fasadë e për rrjedhojë shkakton njollosje të fasadës me çimento dhe agjentë të tjerë kimikë.Pas përfundimit të punës me tullat, sigurohuni që uji të kullojë sa më shpejtë që të jetë e mundur, në mënyrë që të mos rrjedhë mespërmes fasadës.

> Mbrotja e radhëve të para të tullave

Radhët e para të tullave shpesh rrezikojnë të ndoten me papastërtitë e materialeve të ndërtimit. Kjo gjë mund të shmanget shumë thjeshtë duke i mbrojtur këto tulla me plastmas. Një mënyrë tjetër është duke e izoluar radhën e tullave me zhavorr.

> Vendosja e tullave në kohë me shi

Për të njëjtat arsye si në pikën e mësipërme, muratura në kohë me shi është kategorikisht e pakëshillueshme.

> Tepricat e llaçit

Tepricat e llaçit që dalin nga presimi i tullës duhet të pastrohen me mistri. Nëse këto teprica lihen që të grumbullohen, ekziston rreziku që të krijohet urë komunikimi midis sipërfaqes së jashtme dhe asaj të brendshme, e cila lejon depërtimin e lagështirës në pjesën e brendshme të fasadës.

> Instalimi i saktë i izolimit

Nëse ju zgjidhni të ndërtoni një fasadë me hapsirë nga ana e brendshme, atëherë izolimi i brendshëm duhet ngjitur pas murit. Kjo duhet të realizohet me shumë kujdes. Nëse izolimi prek edhe sipërfaqen e jashtme si rezultat i keq vendosjes, ujërat që rrëshqasin në atë vend mund të depërtojnë në fasadë.

> Kujdes nga rrjedhjet tek bazamakët e dritareve

Mbulojini bazamak e dritareve përkohësisht që të mos ketë rrjedhje të ujërave të papastërta pasi këto lënë gjurmë në fasadën e sapo ndërtuar.

> Kujdes nga ndotjet e panevojshme

Materialet drusore që lënë shenja duhen mbajtur larg tullave. Në rast shiu, këto materiale lënë njolla në sipërfaqen e tullave. Nëse lind nevoja për prerjen e tullave, sigurohuni që ky veprim të bëhet larg pjesës tjetër të tullave. Është shumë e vështirë të heqësh pluhurin e tullës nga sipërfaqja e tullës.

> Mot i nxehtë dhe i thatë

Në rastin kur moti është i nxehtë dhe i thatë, ne ju këshillojmë që muratura e sapo mbaruar të njomet në fund të ditës së punës. Kështu llaçi thahet më ngadalë dhe ngjit më mirë.

Pas përfundimit të muraturës

> Rregullimi i fugës

Fuga është një pjesë integrale e dukshme e fasadës e rrjedhimisht luan një rol kryesor në rezultatin final. Në rastin e fasadave me tulla laramane, llaçi me ngjyrë të çelët rrit kontrastin, ndërsa llaçi me ngjyrë të errët e zbut kontrastin. Në rastin e fasadës me ngjyrë të njëtrajtshme, shpesh zgjidhet një fugë llaçi me nuancë të ngjashme. Kështu përforcohet pamja uniforme e fasadës.

Mund të ndodhë që muratori të zgjedhë që ta përgatisë vetë llaçin për fugë. Për fugat me ngjyra shumë të forta si: të kuqe, vjollcë, të zezë, bojëkafe, etj., zakonisht vendoset llaç për fugë nga fabrika. Në fund të fundit, prodhuesi i llaçit mund të garantojë cilësinë dhe qëndrueshmërinë e produktit të vet. Fuga me llaç kërkon kujdes të madh. Fuga e sapo vendosur duhet pastruar menjëherë me furçë, në të kundërt rrezikon të ketë rrjedhje të çimentos.

> Pastrimi i fasadës

Në rast se fasada bëhet pis me rrjedhje çimentoje, grafitti, vaj, pluhur tulle, bojë, etj., pastrimi duhet bërë me mjete të specializuara nga profesionistë.

Njollat e bardha që shfaqen ndonjëherë pas përfundimit të muraturës nuk janë arsye për tu shqetësuar. Shpesh këto janë depozitime të kripës në llaç. Normalisht ato shpërbëhen nga uji i shiut dhe zhduken shpejt. Natyrisht ju mund ta bëni edhe vetë shpëlarjen e fasadës me ujë të pastër. Në rast të tillë mos përdorni asnjëherë zorrë me presion.

> Sipërfaqet hidrofobike

Sipërfaqet hidrofobike eliminojnë akumulimin e lagështirës dhe të çdo lloj lëngu tjetër në fasadë. Zakonisht muratura prej tulle nuk ka nevojë për këtë lloj mbrojtjeje. Sipërfaqja poroze e tullës i shpërndan ujërat e shiut, të cilat më pas avullojnë.

Megjithatë në disa raste fuga hidrofobike nuk lejon që fasada të bëhet pis shumë shpejt, si p.sh. në zonat pyjore (nga lagat dhe myshqet) ose në rrugët ku ka shumë qarkullim të automjeteve (nga gazrat e shkarkimit).

Në raste të tilla duhet gjithmonë të zgjidhni produktet më cilësore ndërsa punimet duhen kryer nga specialistë. Produktet e mira hidrofobike depërtojnë thellë në strukturën e tullës duke i bërë ato të papërshkueshme nga uji por njëkohësisht lejojnë avullimin e ujit që akumulohet si rezultat i kondensimit në hapsirën mes fasadës dhe murit.

> Lyerja e tullave

Muratura me tulla “manuale” mund të lyhet por para se të aplikohet boja duhet që tullat të pastrohen mirë me furçë. Kështu hiqet rëra e tepërt dhe boja ngjit më mirë.

Gjithmonë duhet përdorur bojë e cilësisë së lartë dhe lyerja duhet realizuar nga një specialist.